Telegrafi

Hendboll, kryetrajneri Muhaxheri: Përfaqësuesja U21 meritoi suksesin, do të jemi në konkurrencë me ekipet më të mëdha në botë

Të dielën Përfaqësuesja e Kosovës U21 në hendboll fitoi ndaj  Taipein Kinez në finale me rezultat 30-26 dhe kështu u kualifikua në Kampionatin Botëror ‘Spanja 2019’.

Për Telegrafin rreth kësaj arritje historike foli edhe kryetrajneri Fatmir Muhaxheri, i cili u shpreh i lumtur me suksesin, por që kërkoi të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe mos të kërkojmë ndonjë sukses të madh tani, pasi konkurrenca në Botëror është shumë e madhe.

“Sa i përket suksesit mund të themi lirisht se jemi duke folur për një Përfaqësuese që e ka merituar suksesin, që do të jetë pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror që do të mbahet në korrik të vitit 2019”.

Lexo po ashtu Sukses historik i Kosovës U-21 në hendboll, kualifikohet në Kampionatin Botëror 'Spanja 2019'

“Mendoj se kjo Përfaqësuese ka dhënë edhe atomin e fundit dhe është renditur lartë”.

E ardhmja, objektivi? Rreth dhjetë ditë do të jemi në pushim, do i harrojmë pak angazhimet rreth sportit pasi kemi pasur ngarkesë të madhe duke ditur se angazhimi ishte në Prishtinë. Pas pushimit do fillojmë përgatitjet dhe përpilimin e planit për objektivat, në mënyrë që të jemi të gatshëm për fillimin e garave dhe Kampionatin Botëror”.

“Duhet të jemi real, nuk mund të presim diçka të jashtëzakonshme pasi pjesëmarrëse janë shumë shtete të forta botërore dhe konkurrenca është e madhe, problemi më i madh do të jenë ekipet e Evropës”.

“Suksesi u arrit fal përkrahjes së madhe nga adhuruesit dhe dashamirëve e këtij sporti”, ka thënë Muhaxheri për fund. /Telegrafi/