Site icon Telegrafi

Hendboll: Kastrioti e Rahoveci barazojnë në Ferizaj

(Foto: kosovahandball.info)

Nuk ka dhënë fitues ndeshja e mbetur e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt) në mes të Kastriotit dhe Rahovecit.

Të mërkurën në Ferizaj, këto dy skuadra luajtën baras, 26-26.

Ndeshjen e hapën më mirë mysafirët që krijuan epërsi prej 3-0. Por vendasit u kthyen shpejtë dhe deri në fund të pjesës së parë u luajt ndeshje e barabartë. Pas minutës së 30-të rezultati ishte 14-12 për Rahovecin. “Vreshtarët” vazhduan me lojë të mirë dhe në fillim të pjesës së dytë krijuan avantazh 16-12.

Por, Kastrioti barazoi në 17-17. Në minutën e 53-të, Kastrioti kaloi në epërsi 22-21 e më pas edhe 24-23. Shifrat u barazuan sërish në 24-24 e 25-25. Në minutën e 59-të, Adonis Isufi i Rahovecit shënoi për 26-25, kurse në minutën e njëjtë Jeton Bilsimi i Kastriotit shënoi golin e fundit të ndeshjes, përkatësisht për 26-26.

Festim Mustafa ishte më efikasi te Kastrioti me 8 gola. Nga 5 i shënuan Kristijan Anastasovski dhe Beni Sula.

Te Rahoveci më së shumti gola realizoi Alban Haziri, gjithsej 8. Adonit Isufi i shënoi 5 gola, ndërsa 4 i kishte Mali Luzha.

Të mërkurën u luajt edhe ndeshja Vushtrria – Besa Famgas, që ishte e mbetur e javës së shtatë. Fitore shënoi Besa që kështu vazhdon me bilanc maksimal në Superligë. Pejanët fituan me rezultat 34:23. Besa Famgas ka avancuar prej fillimit dhe vazhdimisht ka mbajtur epërsi të lartë.

Victor Alonso ishte më efikasi te Besa me 8 gola. Felippe Teixeira i shënoi 7 gola për Vushtrrinë.

Exit mobile version