Istogu ka vazhduar dominimin në garat për Kupën e Republikës së Kosovës në hendboll. Skuadra istogase të dielën në finale të Kupës për edicionin 2018\2019 e ka mposhtur Vushtrrinë me rezultat 37-24.
Ndeshja finale u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet në një atmosferë shumë të bukur, para rreth 1000 shikuesve. Lojtaret e Istogut kanë dominuar prej fillimit dhe herët kanë krijuar epërsi që ka shkuar duke u rritur thuajse vazhdimisht. Pas pjesës së parë rezultati ishte 20:13 për istogaset, thuhet në njoftimin e kosovahandball.info.
Istogu e kishte fituar Kupën edhe vjet, që ishte trofeu i parë për këtë skuadër. Sivjet e ka mbyllur stinorin e rregullt në vendin e parë dhe ‘play-offin’ do ta nisë si favorit.
Pranvera Ferataj ka udhëhequr Istogun drejt fitores. Ajo ka shënuar plot 11 gola, kryesisht përmes kundërsulmeve të shpejta. Nga shtatë gola i shënuan Elma Kameri, Suzana Ujkiq e Esma Muratoviq. Në nivel ishte edhe portierja Aurora Shehdadi e po ashtu lojtaret tjera kanë dhënë kontribut drejt suksesit të madh.
Te Vushtrria e jashtëzakonshme ishte portierja Njomza Kelmendi që ka ndalur shumë goditje të Istogut. Por, këtë herë nuk e kishte përkrahjen e duhur nga bashkëlojtaret. Më efikasja ishte Donita Kasumi me shtatë gola.