Ka shumë vite që gjakovarët nuk mund të gjejnë veten dhe të janë një skuadër e fortë! Një ekip që mezi mbahet në këmbë, duke pasur probleme të njëpasnjëshme, që nga buxheti financiar e deri të fondi i hendbollistëve. Gjakovarët janë klub me renome por kriza ekonomike që ka përshirë afaristët privat ka ndikuar që edhe vet klubi të bie në pozitë të mjerueshme dhe me vite të luftojë për mbetje në elitë.
Në edicionin e fundit, Vëllaznimi zuri vendin e shtatë me 14 pikë dhe për pak shpëtoi nga rënie prej lige. Besmir Kusari, hendbollist i kësaj skuadre, që luan në pozitën e alos së djathtë, tha se duhet të mobilizohen të gjithë dhe të kthejnë krenarinë e këtij sporti në këtë qytet.
“Të shohim se si do të rrjedhin gjërat dhe çfarë do të ndodhë në ditët vijuese”, tha ai. Çfarë i mungon Vëllaznimit? “I mungon organizimi i brendshëm i klubit. Sa i përket lojtarëve, ka fond të mjaftueshëm, por vetëm duhet organizim më i mirë”, përgjigjet hendbollisti.
Kusari tha se ka shenja për ndonjë përmirësim, sepse Gjakova meriton të ketë hendbollin e fortë siç e ka pasur në periudhën e kaluar. “Për momentin jam në pushim në Shqipëri, klubi ende si ka filluar përgatitjet, por besoj se si të kthehem do ta shoh çka duhet të bëjmë ! Ose do ta shoh a do të jem apo jo pjesë e Vëllaznimit. Ka gjasa që të përmirësohet situata që nga ndërrimi i kryetarit të komunës dhe të ketë një organizim më të mirëfilltë”, tha Kusari, i cili sugjeron drejtuesit e klubit edhe për përforcime ani se ka përfunduar afati kalimtar.
“Duhet të ketë disa përforcime! Në radhë të parë, Vëllaznimit i duhet rikthimi i lojtarëve, që luajnë në klubet tjera dhe asgjë më tepër. Sa i përket synimeve, do të janë të mbledhja e klubit, aty shihet krejt se çfarë ka”, thotë ai, duke pritur një kampionat me rivalizues me tetë ekipe. “Duhet të jetë më cilësorë, edhe më i fuqishëm mbase tash e tutje duhet të mendojmë edhe për kombëtare. Kështu që mendoj se do të jetë i suksesshëm”, tha Kusari.
A e pret ftesën e përzgjedhësit?
Kusari tha se Kosova mund të ketë paraqitje më të mirë ndaj Italisë në parakualifikimet për Euro 2018, por edhe pret ftesë nga përzgjedhësi Alfred Llazari. “Ta shohim gjithçka është në duart e përzgjedhësit dhe ai e di më së miri më fton apo jo. I besojmë përzgjedhësit. Me përzgjedhjen e tij që do ta bënë, do të kemi një sukses dhe një ngritje. Sa i përket ndeshjes me Rumaninë, është shumë vështirë, se është kombëtare e fortë dhe gjasat më shumë janë me Italinë”, tha Kusari. /Botasot/Telegrafi/