Site icon Telegrafi

Hendboll, Besa Famgas vazhdon dominimin në Superligë fiton sërish titullin

(Foto: Kosovahandball.info)

Besa Famgas ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Për skuadrën pejane të hendbollistëve është titulli i gjashtë rresht dhe kështu ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës.

Skuadra kampione e festoi titullin të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, në qytetin me traditë të hendbollit. Besa e mposhti Kastriotin vendas me rezultat 26-25, në një ndeshje tjetër shumë të fortë në mes dy skuadrave dhe po ashtu shumë dramatike.

Kosovahandball.info shkruan se fituesi u vendos vetëm në aksionet e fundit, ndërsa Besës do t’i mjaftonte edhe barazimi për t’u shpallur kampion. Besa fitoi 16-15 të mërkurën në Pejë dhe me dy fitore në finale të ‘play-offit’ stoliset me titullin e kampionit.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Hendboll

Skuadra pejane është renditur e para në pjesën e rregullt të kampionatit, kurse në gjysmëfinale kaloi Vëllaznimin. Kastrioti në stinorin e rregullt ishte i dyti, kurse Prishtinën e kaloi në gjysmëfinale.

Por, ferizajasit kanë pasur po ashtu një edicion shumë të suksesshëm. Kanë fituar Kupën e Kosovës, duke mposhtur Besën në gjysmëfinale dhe Prishtinën në finale.

Gjatë tërë edicionit Besa e Kastrioti ishin rivalë të mëdhenj dhe kështu kanë shtyrë para garën në Superligën e Kosovës. Dhe si të gjithë ndeshjet e këtij edicioni mes Besës e Kastriotit edhe ndeshja vendimtare ishte e fortë, me mbrojtje të fuqishme.

Exit mobile version