Site icon Telegrafi

Henboll, Kastrioti feston Kupën në konkurrencën e meshkujve pas finales dramatike

(Foto: kosovahandball.info)

Kastrioti është fitues i Kupës së Republikës së Kosovës për edicionin 2018\2019. Skuadra ferizajase ka mposhtur Prishtinën në finale me rezultat 28-27.

Ndeshja finale ishte shumë e fortë dhe dramatike, ndërsa u luajt të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet para rreth 1.500 shikuesve. Tifozët e hendbollit ishin dëshmitarë të një ndeshje shumë të fortë e po ashtu shumë dramatike. Vetëm në aksionet e fundit është caktuar fituesi. Dhe ai është Kastrioti i Ferizajt.

Kastrioti ka fituar Kupën e parë pas plot dhjetë vitesh. Për herë të fundit trofeut të çmueshëm i ishte gëzuar në vitin 2009.

Në pesë vitet e fundit Kupa është fituar nga Besa Famgas që u mposht të shtunën nga ferizajasit. Njëjtë si ndeshja me Besën edhe ajo me Prishtinën ishte cilësore. Në minutën e fundit, kur rezultati ishte 27:26 Prishtina dështoi në sulm. Portieri Arbër Curri shënoi nga porta për 28:26, ndërsa fare në fund Prishtina shënoi për 28:27. Pra ndeshja ishte e hapur deri në fund, ndonëse Kastrioti në pjesën e dytë ishte vazhdimisht në epërsi. Por, skuadra e Taib Kabashit nuk u dorëzua deri në fund dhe e kishte rastin për të barazuar, që e lëshoi.

Djelmoshat e Verim Zherkës kështu kanë fituar trofeun e parë të edicionit dhe pritet të zhvillojnë luftë të fortë edhe për titull të kampionit. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rezultat 15:12 për Kastriotin.

Kastrioti që luajti pa Terziqin e suspenduar, për lojtar më efikas e kishte Lulzim Shabanin me shtatë gola. Me gola kontribuuan edhe lojtarët tjerë, por mbrojtja e bëri dallimin. Në krye të detyrës ishte portieri Arbër Curri e po ashtu Rron Ramadani, Petrit Prekazi, Beni Syla, Pamphile Bassomben e të tjerët. Te Prishtina më efikasët ishin Oltion Beshiri e Albi Gjuka, që e mbajti në lojë skuadrën në momentet vendimtare. Të dy shënuan nga gjashtë gola.

Kështu me ndeshje të fortë, dramatike dhe në një atmosferë të bukur, i erdhi fundi FINAL 4 të Kupës, që ishte në vazhdën e ngjarjeve shumë të suksesshme të Federatës së Hendbollit.

Exit mobile version