Site icon Telegrafi

Helmimi i nxënësve në Mitrovicë, AUV nis hulumtimin

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar të shtunën se ka nisur hulumtimin në lidhje me rastin që ka ndodhur në Mitrovicë, ku disa nxënës nga Prishtina janë helmuar gjatë një ekskursioni atje.

Siç thuhet në njoftim, nxënësit janë shërbyer në një restorant, i cili është në një mbyllje të përkohshme.

AUV-i ka thënë se kanë inspektuar hapësirat e restorantit dhe shërbimet ushqimore ku edhe janë marrë 6 mostra.

“Restoranti është inspektuar në mënyrë të detajuar në të gjitha hapësirat e punës dhe shërbimit të ushqimit. Bashkë me zyrtarin mostrues nga IKSHPK janë marrë 6 mostra të produkteve ushqimore dhe strisho nga hapësirat e ambientit të gatimit dhe mjeteve të kuzhinës”, është thënë në njoftimin e AUV-it.

Lexo po ashtu 12 nxënës nga Prishtina helmohen nga ushqimi gjatë një ekskursioni në Mitrovicë

Tutje, thuhet se restoranti do të jetë i mbyllur deri nxjerrjen e rezultateve laboratorike.

Sipas raporteve mjekësore, pacientët menjëherë pas marrjes se trajtimit kanë filluar të përmirësohen.

“AUV është duke e trajtuar me seriozitet të lartë rastin e ndodhur dhe në koordinim me autoritetet e tjera si, Spitali i Mitrovicës, Policia e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”.

Telegrafi raportoi dje se 12 nxënës të Shkollës Fillore “Nexhmi Mustafa” në fshatin Besi të Prishtinës, janë helmuar në qytetin e Mitrovicës, ku kishin shkuar për ekskursion.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, tha se Instituti i Shëndetit Publik i ka marrë mostrat dhe se më pas do të dalin me rezultate.

“E rëndësishme është që gjendja shëndetësore e nxënësve është e mirë. Janë duke u trajtuar në Spitalin e Mitrovicës. Vetëm dy prej tyre kanë qenë në gjendje më të rëndë, ndërsa të tjerët janë në gjendje stabile. Dyshohet se helmimi është për shkak të ushqimit. Instituti i shëndetit Publik i ka marrë mostrat dhe më pas do të dalë me rezultate”, deklaroi Shabani. /Telegrafi/

Exit mobile version