Site icon Telegrafi

Helmimi i nxënësve në Durrës, Ministria e Arsimit tregon ku i blenë ushqimet

Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka reaguar lidhur me helmimin e pesë nxënësve të shkollës “Eftali Koçi” në Durrës, të cilët u helmuan pasi konsumuan produkte të cilat i kishin blerë pranë shkollës 9-vjeçare që frekuentonin.

MAS thotë se dje nxënësit kanë blerë produkte tek ambulantët gjatë pushimit të gjatë në kangjellat e shkollës dhe pasi i kanë konsumuar nuk janë ndier mirë.

“Të 5 fëmijët janë dërguar për kontroll në spital nga drejtori i shkollës. U njoftua ISHP për ngjarjen dhe policia bashkiake për largimin e ambulantëve. Sot fëmijët zhvilluan mësimin normalisht në shkollën e tyre”, thuhet në deklaratë.

Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së hënë, ku nxënësit e klasës së pestë me moshë 11-vjeçare, L.R., K.N., L.L., F.Xh., dhe F.H., banues në Durrës, kanë konsumuar në shkollë disa produkte ushqimore si haribo, byrekë, hamburger e sanduiç.

Më pas ata kanë ndjerë shqetësime me dhimbje e të vjella, të cilat pasi kanë marrë mjekim në urgjencën e spitalin e Durrësit, janë larguar për në shtëpi.

Lidhur me këtë rast po kryhen veprimet hetimore të rastit, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për vlerësim. /a.y/noa.al/

Exit mobile version