Site icon Telegrafi

Helmime të reja nga ushqimi në Shkup, katër persona kërkojnë ndihmë mjekësore

Katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga përkeqësimi e gjendjes shëndetësore pasi mbrëmë kanë darkuar në një nga restorantet në Lagjen Petrovec të Shkupit. Rasti është paraqitur në Agjencinë e ushqimit dhe veterinarisë si dhe në Qendrën e Shëndetit publik në Shkup. Autoritetet thonë se janë duke bërë anketimin e klientelës që ka qenë mbrëmë e pranishme në restorant kurse nga AUV ka marrë mostrat e ushqimeve për t’i ekzaminuar se nga cili bakter ka ardhur helmimi.

“Kemi një fletëparaqitje dhe jemi në proces të kërkimit të të dhënave nëse ky është shkaku i vërtetë sepse ekziston koha e virozëve, të cilat mund të shkaktojnë të njëjtën simptomatologji siç të helmimeve nga ushqimi siç janë vjellja, temperatura, diarre, kokë dhimbje kështu që duhet të bëjmë diferencimin se nga vjen”, deklaroi Lulzime Bajrami, Epidemiologe në QSHP.

Nga helmimi me ushqim, prej 10 ditësh është mbyllur një nga pikat e fast-foodeve në lagjen Aerodrom të kryeqytetit, si pasojë e të cilit 14 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Epidemiologët vazhdojnë të rekomandojnë që të konsumohet ushqim sa më i lehtë dhe i freskët në kushte shtëpiake, mirëmbajte të higjienës dhe të shmangen grumbullimet nëpër ambiente gastronomike gjatë kësaj kohe.

Nga Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë, thonë se përskaj kontrolleve të planifikuara bëhen edhe kontrolle të jashtëzakonshme që vijnë si rezultat i ankesave dhe denoncimeve nga qytetarët dhe personat juridikë. Nga atje paralajmërojnë kontrolle të përforcuara në industrinë e ushqimit. /Alsat/

Exit mobile version