Telegrafi

Helikopteri ushtarak amerikan ‘përplaset’ nëpër pemë dhe shtylla llambash, para se të ‘bie në rrugë’, pasi pësoi probleme teknike

Ky është momenti dramatik kur një helikopter amerikan Black Hawk “ra nga qielli” para se të pengohej nëpër pemë dhe shtylla llambash dhe të binte në një rrugë në Bukuresht.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, fluturakja u detyrua të bënte një ulje emergjente në mes të një rruge të ngarkuar të enjten në mëngjes pasi pësoi ‘probleme teknike’ gjatë një stërvitje trajnimi në kryeqytetin rumun.

Pamjet tregojnë helikopterin duke fluturuar si pjesë e një grupi prej gjashtë provash përpara ngjarjeve për të shënuar ditën e Forcës Ajrore Rumune dhe fundin e pranisë ushtarake rumune në Afganistan më 20 korrik.

Por Black Hawk shihet papritmas duke humbur lartësinë dhe duke rënë poshtë në mënyrë të rrezikshme pranë një rruge me trafik të ngarkuar.

Në një moment, këmbësorët që ecnin mbi një vendkalim u ndalën dhe panë me frikë ndërsa helikopteri po kalonte vetëm pak metra larg tyre.

Black Hawk u ul më pas në një rreth-rrotullim në qendër të qytetit në Bulevardin Aviatorilor nga Sheshi Charles de Gaulle të cilin policia e trafikut e kishte pastruar.

Për fat të mirë, askush nuk u lëndua ndërkohë autoritetet kanë thënë se helikopteri kishte sinjalizuar se po kishte vështirësi teknike.

“Ne jemi duke punuar me partnerët tanë rumunë për të zgjidhur situatën dhe ne do të sigurojmë më shumë informacione ndërsa ato të bëhen të disponueshme”, ka thënë ambasada amerikane në një deklaratë. /Telegrafi/