Më shumë deklarata vijnë nga Turqia e cila dërgoi drone për të lokalizuar mbetjet e helikopterit iranian pas rrëzimit të natës së kaluar.
“Helikopteri që transportonte presidentin dhe ministrin e jashtëm të Iranit, nuk e kishte sistemin e sinjalizimit të ndezur ose nuk kishte një sistem të tillë”, tha ministri turk i Transportit, Abdulkadir Uraloglu.
Siç theksoi Uraloglu, Turqia pret një qendër koordinimi kërkimore emergjente për aksidentet e aviacionit dhe Irani bie në zonën e tij të përgjegjësisë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Ne kontrolluam për një sinjal nga helikopteri, por për fat të keq, ka shumë të ngjarë që sistemi i sinjalit ishte i fikur ose që helikopteri nuk e kishte atë sistem sinjalistik, ne nuk mund t’i zbulonim ata”, tha ministri.
Një zyrtar tjetër i ministrisë tha se ata kishin marrë një telefonatë nga Irani mbrëmë, duke kërkuar ndihmë për të zbuluar sinjalin.
“Ne kontrolluam për sinjalin, siç bëjmë gjithmonë, por nuk kishte një sinjal të tillë,” tha ai.
Zyrtari nuk e dinte nëse helikopteri nuk ishte i pajisur me sistemin apo nëse ai ishte i fikur. Por ai tha se besonte se nuk duhej të ishte fikur për arsye sigurie.
“Të gjitha llojet e avionëve, veçanërisht ato që mbajnë zyrtarë shtetërorë, duhet ta kenë këtë sistem,” tha ai. /Telegrafi/