Telegrafi

Helikopterët “nën thjerrëzën” e Anti-korrupsionit, hapet lëndë edhe për blerjen e 22 autoambulancave

Përbërja e re e Komisionit për Parandalim të Korrupsionit hapi lëndë për blerjen e tetë helikopterëve për Ushtrinë me vlerë 230 milionë euro nga kompania italiane “Leonardo” dhe për blerjen e 22 autoambulancave me tender të Ministrisë së Shëndetësisë.

Këtë sot e ka konfirmuar kryetarja e re e Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovska, duke theksuar se rastet hapen para zgjedhjeve si rezultat i zërit të arsyes.

“Dy rastet për blerjen e helikopterëve dhe autoambulancave, me 13 raste të tjera, do të thotë se kemi 15 raste që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor”, tha Dimitrovska për Radion Evropa e Lirë.

Lexo po ashtu Ushtria e Maqedonisë së Veriut do të blejë tetë helikopterë, do t’i kushtojnë 230 milionë euro

Sipas saj, blerjet nuk guxojnë të bëhen para zgjedhjeve, duke iu referuar Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, ku rregullohen kushtet për investime të reja, pagesa të jashtëzakonshme, punësime etj.

Përveç kësaj, paraprakisht ishte bërë e ditur se Ministria e Shëndetësisë po blen 22 autoambulanca me çmim prej 90 mijë euro për një automjet, ndonëse një muaj më parë BE-ja dhuroi të ngjashme me çmimin 63 mijë euro.