Site icon Telegrafi

Helena rrëfen për ditarët e Ismail Kadaresë: “Harroi çelësin në shtëpi dhe…”

Shtëpia studio Kadare-Agolli nuk i përket më familjeve të shkrimtarëve të njohur, por është hapur për publikun, duke ofruar mundësinë që të vizitohen nga afër hapësirat ku kanë lindur veprat e mëdha të letërsisë shqipe, në zemër të Tiranës.

Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, ndau kujtime të veçanta lidhur me apartamentin, tani të kthyer në muze.

“I pëlqente ai apartament, se u bë me shumë sakrifica. Kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me ata në shkallën ku jetonim ne,” rrëfeu ajo.

Por Kadareja kishte gjithmonë një këndvështrim të veçantë.

“Më tha mua ‘kjo s’është shtëpia jonë,’ i thashë po pse? ‘Se s’ka divanet,’ thoshte. Priste të shihte shtëpinë për t’u jetuar. Nuk shkoi asnjëherë ta shikojë, vetëm kur e mbaroi. Ishte i mendimit ‘nuk është puna ime, është puna e atij që e ka marrë përsipër’.”

Helena Kadare solli ndër mend edhe momente intime të përjetuara në familje.

“Më kujtohet një letër e Besianës që e pashë kur vajta në shtëpi dhe aty thuhej: ‘Mami me babin mbyllen gjithnjë në dhomë dhe ata thonë disa sekrete që ne nuk i dëgjojmë’.”

“Pavarësisht se jeta jonë ishte e gëzueshme, lajmet ishin të tmerrshme. Kishte ngjarje të trishtueshme në sfond. Vepra e tij kryesore është shkruar para atij oxhakut. Ai nuk e ndryshoi kurrë sistemin e të shkruarit.”

Një nga episodet më të ndjera ishte ajo e ditarit të harruar. “Ditarët s’kishte pse t’ia jepte shtëpisë muze. Një ditë e harroi çelësin në shtëpi dhe më tha ‘lexove gjë’? ‘Jo’ i thashë, por lexova. Do mërzitej, edhe unë u mërzita me ato që lexova. Kishte histori me vajza ruse,” tregoi ajo në TopChannel.

Gjithashtu, ajo përshkroi sesi shkrimtari ruante librat e tij gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

“Kur vinte Ismaili nga jashtë, merrte librat dhe i fuste ca në pallto, ca në valixhe,” përfundoi Helena Kadare, duke përshkruar me emocione momente nga jeta e tyre e përbashkët.

Exit mobile version