E veja e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, Helena, është parë në dyert e jashtme të Gjykatës kundër Krimit dhe Korrupsionit mesditën e sotme.
Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami raporton se Helena Kadare, së bashku me dy zonja të tjera të moshuara kanë shfaqur interes që të ndjekin seancën gjyqësore ku kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj do t’i komunikohet masa e sigurisë “arrest në burg”.
Seanca për verifikimin e masës së sigurisë për Veliajn ishte parashikuar të zhvillohej në orën 08:30, por ajo u shty për shkak se u shkëput energjia elektrike në gjykatë. Po ashtu avokatët kërkuan kohë të njihen me dosjen në ngarkim të kryebashkiakut dhe për këtë u caktua ora 13:30.
Sipas akuzës së ngritur nga SPAK, Veliaj dyshohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa ka krijuar një skemë korruptive, mes disa kompanive dhe 6 biznesmenëve që kanë përfituar tendera nga Bashkia e Tiranës.
Veliaj akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. /Telegrafi/