Telegrafi

Hekurudha Kosovë-Shqipëri, ende ide dhe dëshirë

Ndërtimi i një linje hekurudhore që do të lidhte Kosovën dhe Shqipërinë, vitin e kaluar ishte cilësuar si projekt i rëndësishëm dhe madhor nga autoritetet përgjegjëse të këtyre dy shteteve.

Por, kjo vazhdon të mbetet vetëm ide dhe dëshirë për të dyja palët.

Xhevat Ramosaj, drejtor i Hekurudhave të Kosovës, duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, thotë se ende nuk ekziston ndonjë studim fizibiliteti, studim ky që pason përgatitjet për projektin.

“Për fat të keq ende nuk ka ndonjë projekt. Nga vitet 90-ta ekziston një studim, të cilin e kanë bërë ekspertë të Shqipërisë sa i përket kësaj linje hekurudhore. Ndërsa, nuk ekziston një studim i fizibilitetit, i cili e përcakton arsyeshmërinë për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore. Megjithatë, ne jemi në kontakt edhe me hekurudhat e Shqipërisë që të shohim mundësinë e një studimi të tillë që tregon arsyeshmërinë e projektit”, thotë Ramosaj.

Por, ish-ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj, shprehet se autoritetet kosovare janë të gatshme për ta realizuar këtë projekt, pasi autoritetet shqiptare do të përfundojnë pjesën e tyre të hekurudhave. Sipas Limajt, Kosova ka për të ndërtuar vetëm rreth 17 kilometra hekurudhë nga Prizreni në drejtim të kufirit shqiptar.

“Pala kosovare e ka shumë më lehtë për shkak të distancës dhe terrenit, por kjo nuk mund të fillohet në qoftë se nuk fillon nga pjesa shqiptare, e cila e ka pjesën më të vështirë”, thekson Limaj.

Edhe ekspertë të komunikacionit konsiderojnë se Kosova ka mundësi dhe kapacitete për realizimin e këtij projekti.

Florim Graiçevci, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Prishtinë, konsideron se Kosova ka mundësi teknike të fillojë ndërtimin e linjës hekurudhore Kosovë-Shqipëri. Graiçevci tregon se Kosova i ka linjat hekurudhore deri në Prizren, që me një riparim mund të futen në funksion, ndërsa ndërtimi i pjesës tjetër deri në kufi, sipas tij, nuk paraqet ndonjë vështirësi për institucionet kosovare.

“Kosova hekurudhat nuk i ka në gjendje të mirë teknike, mirëpo linjat ekzistuese që janë, mund të zhvillojnë një shpejtësi mesatare 60 deri në 80 kilometra në orë edhe për transportin e mallrave. Kështu që mund ta plotësojë anën teknike, edhe pse më vështirësi, por mund ta plotësojë. Kosova nuk e ka problem lidhjen deri në kufirin e Shqipërisë, sepse është rrjeti ekzistues deri në Prizren, ndërsa nga Prizreni deri te kufiri, aty është një segment i vogël që Kosovës nuk i kushton shumë shtrenjtë”, shprehet Graiçevci.

Por, Xhevat Ramosaj pohon se hekurudha Kosovë-Shqipëri është bosht kurrizor për zhvillimin ekonomik të vendit, pasi me këtë linjë, thotë ai, do të lidhej korridori i tetë pan-evropian me korridorin e dhjetë.

Ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Prizren-Tiranë-Durrës, i mundëson dalje më të lehtë Kosovës në portet shqiptare, sidomos në Portin e Shëngjinit, port ky që shërben kryesisht për Kosovën. /Telegrafi/