Site icon Telegrafi

Hekurudha Durrës-Prishtinë, Balluku: Projekt kombëtar, të gatshëm të hapim garën ndërkombëtare

Foto: Ilustrim

Zëvendëskryeministrja shqiptare, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku solli në vëmendje projektin hekurudhor që lidh Durrësin me Prishtinën, duke e cilësuar atë si projekt kombëtar, për të cilin konfirmoi edhe angazhimin e të dy qeveritë.

“Nuk harrojmë projektin që lidh Durrësin me Prishtinën, jo vetëm si një transport komercial të rëndësishëm, që do të lidhë portin e Durrësit me portin e thatë të Prishtinës, por edhe si një transport alternativ që do të lidh udhëtarët e shumtë midis dy vendeve”, tha Balluku në konferencën vjetore të mbajtur për shtyp.

Lexo po ashtu Hekurudha Durrës-Prishtinë, lidhet kontrata për studimin e fizibilitetit në pjesën e Shqipërisë

Sipas saj, ky është një projekt që do të mbështetet nga dy qeveritë, pasi quhet një projekt kombëtar, që lidh shqiptarët mes tyre.

“Nuk bën pjesë në korridoret e transportit evropian, si rasti i segmenteve Vorë- Hani i Hotit apo Durrës-Pogradec, megjithatë dy qeveritë janë të angazhuara dhe besoj se me përfundimin e studimit të fizibilitetit, që tashmë ka marrë rrugë, ne do të jemi të gatshëm të hapim garën ndërkombëtare, të kombinuar midis dy vendeve tona dhe për të nisur menjëherë ndërtimin e kësaj hekurudhe që është një ëndërr e madhe e mbetur pa realizuar”, deklaroi Balluku. /Telerafi/

Exit mobile version