Ministri i Financave, Hekuran Murati, që ishte përfshirë të enjten në përleshjen fizike në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se veprimi i deputetëve të PDK-së ishte i paramenduar dhe planifikuar.
Murati, përmes njjë postimi në Facebook, ka publikuar një foto para se të ndodhte incidenti që u nis me hedhjen e ujit nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, në drejtim të kryeministrit Albin Kurti.
“Se a ishte rasti i djeshëm vetëm aksion simbolik e spontan i një deputeti, apo veprim i paramenduar e i planifikuar nga PDK, e dëshmon fotoja më poshtë”, ka shkruar Murati, transmeton Telegrafi.
Murati më tej ka thënë “se kush kë e sulmoi, qytetarët e kanë parë në video. Shpresoj që edhe hetuesia e prokuroria të kenë parë videot e njëjta që panë qytetarët”.
“A, nëse i keni dëgjuar mbrëmë analistët nëpër studio dhe deputetët që më sulmuan, edhe mund të krijohet përshtypja se deputetin Lushtaku e sulmuam nga ulësja e qeverisë e ai u vetëmbrojt te ulëset e qeverisë. E me të parë Mërgimin teksa vetëmbrohej, Hajdar Beqa e Bekim Haxhiu u nisën nga fundi i sallës me vrap drejt nesh, që të vetëmbroheshin edhe ata”, ka shkruar Murati. /Telegrafi/