Site icon Telegrafi

“Heil Tesla”: Foto e diskutueshme e Muskut, projektohet në fabrikën e Teslas në Berlin

Fotografia e Elon Musk duke bërë një përshëndetje kontroverse gjatë një fjalimi është projektuar në Gigafabrikën e Teslas në Berlin. Projeksioni përfshinte gjestin e miliarderit, të shoqëruar me fjalët “Heil Tesla”.

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë dhe një aleat i afërt i ish-presidentit Donald Trump, është përballur me akuza se ka bërë një përshëndetje naziste dy herë gjatë një fjalimi përpara një turme mbështetësish të Trumpit në arenën Capital One në Uashington, menjëherë pas inaugurimit të dytë të 78-vjeçarit.

Megjithëse qëllimet nuk ishin të qarta, gjesti me dorën e shtrirë përpara dhe lart gjatë fjalimit u përhap shpejt në faqet e para të gazetave në mbarë botën.

“Thjesht dua të them faleminderit që e bëtë këtë të mundur”, tha Musk gjatë fjalimit të tij, duke iu referuar fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale. Pas kësaj, ai preku gjoksin me dorë dhe bëri një lëvizje drejt përpara dhe lart me pëllëmbën e kthyer poshtë.

Kjo fotografi u projektua në fabrikën e Teslas në Berlin nga dy grupe aktivistësh të krahut të majtë: Led By Donkeys nga Mbretëria e Bashkuar dhe Qendra për Bukuri Politike nga Gjermania. Grupi mori përgjegjësinë për projekcionin në platformën X (më parë Twitter). Një tjetër mesazh, me fjalën “Boycott” pranë logos së Tesla-s, gjithashtu u projektua në ndërtesën e fabrikës.

Led By Donkeys është një grup aktivistësh në Mbretërinë e Bashkuar, i njohur për veprime kreative që ekspozojnë hipokrizinë politike. Ata kanë tërhequr vëmendjen përmes projeksioneve të citateve dhe tweet-eve të politikanëve në ndërtesa dhe billborde, fillimisht duke u përqendruar në mesazhe kundër BREXIT, e më pas duke zgjeruar fokusin në tema të tjera. Në shkurt të vitit 2024, ata vendosën mijëra rroba fëmijësh përgjatë një plazhi në Bournemouth për të simbolizuar fëmijët e vrarë në luftën në Gaza.

Qendra për Bukuri Politike është një grup aktivistësh gjermanë i themeluar në vitin 2009, i cili përdor aksione provokuese dhe teatrale për të trajtuar apatinë politike dhe problemet shoqërore.

Ata kanë punuar kryesisht për të tërhequr vëmendjen ndaj të drejtave të refugjatëve, luftës kundër fashizmit dhe përgjegjësisë historike. Një nga veprimet e tyre më të spikatura ishte në vitin 2015, kur ekshumuan trupat e refugjatëve që kishin vdekur në kufijtë e Evropës dhe i rivarrosën në Berlin. /Telegrafi/

Exit mobile version