Sasi e madhe e bërllogut mblidhet pas mbikalimit në hyrje të qytetit të Tetovës. Ky lokacion është duke u shfrytëzuar tani nga ndërmarrja komunale për ribartje të hedhurinave, pasi që një banorë i lagjes Debrej bllokoi një pjesë të deponisë së egër dhe ndaloi aktivitetet në afërsi të lagjes, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Tani, hedhurinat janë ende më afër shtëpive të tetovarëve. Një qytetar thotë për META se ”kjo është katastrofale. Nuk mundeshim të hapnim dritaret nga deponia e egër, e tani bërllogu ka filluar të na hyjë në shtëpi. Nuk na mbetet asgjë tjetër përpos që të shpërngulemi nga qyteti”.
Nga ndërmarja publike komunale thonë se janë marrë masa që, më së voni, nga muaji i ardhshëm hedhurinat e Tetovës të transportohen jashtë qytetit sipas standardeve të kërkuara. Ata thonë se para dërgimit në deponinë Drislla, bërllogu do të futet në kontejnjera.
Premtime të këtilla janë dhënë edhe më herët, por gjendja në terren ka treguar të kundërtën./Telegrafi/