Profesori universitar, Nesim Vala, ka bërë një hulumtim se cilët kanë qenë kuadrot e para shqiptare e joshqiptare që kanë punuar në Gjakovë.
“Sipas hulumtimeve që unë kam bërë, ambulanca e parë në Gjakovë ka qenë e vendosur në hapësirën ku tash është pallati i kulturës ‘Asim Vokshi’. Kjo ka qenë në vitin 1923. Mjekja e parë që ka punuar në atë ambulancë ka qenë hebraikja Ana Wajs. Si e kanë për zakon gjakovarët, nga përkujdesja, dashuria dhe respekti ndaj mjekës, atë e kishin pagëzuar Ana Gjakova. Stomatologu i parë në Gjakovë ka qenë një rus me emrin Alojz, i cili këtu ka punuar deri në vitin 1949. Pra, kuadrot e para shëndetësore në Gjakovë nuk kanë qenë shqiptarë”, ka thënë profesor Vala, i cili këto të dhëna i ka prezantuar edhe në librin e tij “Kjo është Gjakova”.
Pra, kuadrot shqiptare kanë ardhur më vonë. Por, kush kanë qenë ata?
“Mjeku i parë shqiptar (gjakovar) në Gjakovë ka qenë Nexhdet Kryeziu, pediatër; stomatologu i parë, Rifat Ymeri; farmacisti i parë, Avni Zhubi; ndërsa veterinari i parë Nexhat Kryeziu”, ka thënë Nesim Vala.
Emrat e lartpërmendur paraqesin fillimin e traditës së mjekësisë shqiptare në Gjakovë. Në listën e emrave të përmendur më lartë, janë dy anëtarë të familjes Kryeziu. Nuk bëhet fjalë për kushërinj të largët, por për vëllezër të një nëne e të një babe: për Nexhdet dhe Nexhat .
Nexhdeti studimet e Mjekësisë i kreu në Beograd dhe në vitin 1953 u kthye në Gjakovë me thirrjen e mjekut. Më vonë ai specializoi në pediatri dhe për një kohë të gjatë ishte pediatri i vetëm në spitalin e Gjakovës.
Nexhati ishte veterinari i parë shqiptar që shërbeu në Gjakovë, i cili ditën e parë të punës si veterinar e ka pasur më 1 mars 1964.
“I pari veterinarka qenë një kroat, Eduard Hron, ndërsa pak më vonë edhe dy vojvodinas”, rrëfen Nexhati, i cili ka punuar edhe si inspektor e pastaj si profesor në shkollën e mesme të Bujqësisë në Prishtinë. /Kosova Sot/