Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka insistuar se një kandidaturë konsensuale do të ishte e përshtatshme për të drejtuar LDK-në.
Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se u qëndron fjalëve që ka deklaruar më parë se nëse nuk ka konsensus të gjerë do të garoj për kryetar të LDK-së.
“Jam ithtar i arritjes së marrëveshjes deri në ditën e fundit… Natyrisht, nëse nuk arrihet një marrëveshje parimi i demokracisë së brendshme më lejon të kandidoj për kryetar të LDK-së”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënës se do të largohej nga gara nëse del një kandidat konsensual, pasi ai thotë se “vetë jam propozues i këtij standardi”.
Haziri ka thënë se standardi aktual për nominimin e kandidatëve për kryetar të LDK-së është i lartë.
“Për t’u konfirmuar një kandidaturë, duhen hiq më pak se 50+1 për qind e votave”.
Duke folur për një kandidaturë të mundshme të Isa Mustafës, Haziri ka thënë se Mustafa deri më tani ka treguar neutralitet të plotë në procesin zgjedhor.
Ai nuk ka treguar nëse figura e Isa Mustafës do të ishte për të një kandidaturë konsensuale./Telegrafi/