Në kuadër të festave të fundvitit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka qëndruar sot në shkollën “Bajram Curri” në fshatin Shurdhan ndër fshatrat e thella të Karadakut.
Haziri ka konfirmuar se nxënësit e Verbicës së Zhegocit dhe të fshatit Shurdhan do të jenë të parët, ku do të nis projekti për shujtat ditore.
“Nxënësit e fshatit Shurdhan dhe ata të Verbicës së Zhegocit nga gjysëmvjetori i ardhshëm do të kenë edhe shujtat ditore. Kjo shkollë moderne me kushtet dhe mirëmbajtje të jashtëzakonshme, është shembull i mirë se si duhet që krahas mësimit të ketë edhe kujdes për ambientin shkollor”, ka thënë Haziri, transmeton Telegrafi.
Haziri gjithashtu ka potencuar se kjo anë pas hapjes së pikës kufitare Kosovë-Maqedoni, do të jetë krejt ndryshe, sepse siç ka thënë ai qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave e bënë më të frekuentushëme këtë rrugë që e lidhë Gjilanin me Kumanovën.
“Me nxënësit e mrekullueshëm të fshatit Shurdhan, por edhe me pikën kufitare, Karadaku do të gjallërohet dhe potenciali turistik që ka kjo anë, do të shënoj zhvillim të hovshëm nga viti i ardhshëm”, ka thënë kryetari Haziri, derisa ndante dhuratat simbolike për fundvit për nxënësit e kësaj shkolle.