Site icon Telegrafi

​Haziri: Virusi COVID-19 s’ka krahë për të fluturuar, e merr nëse s’je i kujdesshëm

Komiteti i Gjilanit për parandalimin e përhapjes së virusit, ka mbajtur sot një mbledhje nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, për vlerësimin e situatës pas 15 rasteve të reja pozitive me COVID-19.

Pas takimit, Haziri ka bërë të ditur se dy pacientë të cilët po hospitalizoheshin në Spitalin e Përgjithshëm, kanë humbur betejën me COVID-19 brenda 24 orëve, derisa nga 17 rastet e paraqitura nga IKSHP, dy janë ritestime, e jo raste të reja pozitive.

“Ngushëllime për familjarët për humbjen e më të dashurve dhe do ta kenë solidaritetin tonë. 682 të infektuar janë në total, 468 të shëruar, 186 raste janë aktive, 28 e kanë humbur betejën me COVID, 32 të hospitalizuar dhe për 27 mostra po i presim rezultatet nga IKSHP”, ka thënë ai.

Haziri njoftoi se kanë diskutuar çështjen e varrimeve të personave që ndërrojnë jetë nga Coronavirusi, duke kërkuar nga Qeveria që ta zgjidhë këtë problem, sipas protokollit shtetëror.

Ai ka theksuar se brenda pesë muajve ka funksionuar jashtëzakonisht mirë trekëndëshi i bashkëpunimit mes emergjencave civile, profesionistëve shëndetësorë dhe organeve të sigurisë, derisa ka shtuar se është e paqartë ndalesa e pesë zyrtarëve komunalë, derisa po e kryenin punën së bashku me Policinë e Kosovës.

“Por, kjo çështje fatmirësisht është zgjidhur dhe besojmë në funksionimin e këtij trekëndëshi të partneritetit, në ruajtjen e shëndetit publik. Ky partneritet edhe më tutje mendoj se nuk mund të dëmtohet njëanshëm”, ka thënë Haziri.

Ai ka kërkuar që lojaliteti dhe solidariteti qytetar të rritet në mënyrë që të evitohen masat shtrënguese dhe represive, të cilët mund të vijnë në shprehje nëse nuk zbatohen masat anti-COVID-19.

“Ju ftoj që të dilni në rrugë e në punë me masa mbrojtëse antiCOVID-19. Virusi nuk ka krahë për të fluturuar, nuk i shkon askujt në shtëpi dhe as nuk i del përpara askujt. Por, nëse nuk je i kujdesshëm, mund të infektohesh”, ka thënë Haziri. /Telegrafi/

Exit mobile version