Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryetari i Gjlanit, Lutfi Haziri ka treguar detaje nga negociatat me Vetëvendosjen për formimin e qeverisë së re.
Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Vetëvendosje ka kërkuar që të shtohet edhe një zëvendëskryeministër në qeveri e që do të jetë i tyre.
Ai ka thënë se në draftin e parë të përbërjes së qeverisë është paraparë vetëm një zëvendëskryeministër që do t’i takonte LDK-së por sipas tij VV e ka arsyetuar shtimin e një zëvendëskryeministri për t’i përmbushur nevojat e koordinimit.
Haziri ka thënë se do të jenë 26-28 zëvendësministra e që sipas tij nënkupton se çdo ministri do t’i ketë dy zëvendësministra dhe ndonjë shtesë nga komunitetet sipas kërkesave që kërkon Kushtetuta.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se për LDK-në janë të pranueshme çdo ministri e mundshme pasi sipas tij, të gjitha janë të fuqishme.
Haziri ka thënë se LDK mund ta ketë kërkuar Ministrinë e Punëve të Brendshme pasi është një sektor shumë i madh, por sipas tij kjo punë nuk ka për qëllim që të ketë ndikime të caktuara./Telegrafi/