Telegrafi

Haziri thotë se vendi është në prag të zgjedhjeve: Nuk mund t’i themi jo Amerikës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se vendi gjendet në një krizë dhe në prag të zgjedhjeve të reja.

Haziri tha në Info Magazine që kjo krizë është shkaktuar pasi liderët nuk kanë trajtuar fare ultimatumin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për taksën.

”Dihet se nuk janë trajtuar kërkesat as lidhur me grevat e ndryshme por as me kërkesën ultimatum të ambasadorit të SHBA-ve për taksën që lidhet drejtpërdrejt me dialogun me Serbinë. Jemi veçse në një krizë. Një formë apo në një formë tjetër, zgjedhjet po paralajmërohen. Nëse shkohet me mocion dihet afati kohor, nëse shkohet me shpërndarje të parlamentit është edhe ajo çështje kushtetuese”, ka thënë Haziri në Klan Kosova.

Duke folur për kërkesat e Amerikës për heqjen e taksës, Haziri ka thënë se institucionet e Kosovës nuk mund t’i thonë jo këtyre kërkesave.

Lexo po ashtu Përfundon takimi i liderëve të koalicionit, nuk flasin për media

Ai tha se Kosova edhe pavarësinë e ka shpallur në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

”Ne me mbështetje të pakusht të Qeverisë Amerikane kemi arrit në këto ditë të bardha të lirisë. Edhe në fazën finale të dialogut Amerika është në mbështetje të pakusht. Deklaratën për pavarësi e kemi shpall bashkarisht çdo gjë ishte e koordinueshme. Gjithçka në raport me SHBA-të ka qenë në koordinim të plotë e edhe kësaj radhe besoj se e kemi mbështetjen e plotë”, deklaroi Lutfi Haziri.

Ndryshe nënkryetari i LDK-së gjithashtu insistoi se nuk kanë kontakte me koalicionin PAN, dhe me liderët e ndonjë prej partive në pushtet. /Telegrafi/