Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri i ka dalë në mbrojtje bashkë-partiakut të tij Agim Veliu, i shkarkuar nga detyra e ministrit të Brendshëm nga kryeministri Albin Kurti, për shkak të deklarimeve rreth coronavirusit dhe gjendjes së jashtëzakonshme.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haziri ka thënë se Agimin nuk e kanë ndalë as plumbat dhe s’do ta ndalin tani as militantët e një partie me ideologji tjetër.
“Agimin nuk e kanë ndalur as plumbat që i bartë në trup, e të mos flasim për akuzat e ulëta që ia adresojnë militantët e një partie me ideologji tjetër…Duke qenë djali i një patrioti e veterani të arsimit, i cili ishte sekretar e bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës (Nuhi Gashi), miku im Agim Veliu dhe familja e tij, historikisht kanë qenë në udhë të drejtë, por fjalëpakë e pa i akuzu kurrë të tjerët që nuk ishin bash n’udhë”, ka deklaruar Haziri.
Sipas tij, tendencat për linçim publik të tij, janë të ulëta çnjerëzore.
“Agimi është rugovisti i cili për më shumë se tri dekada ka punuar pareshtur për liri, pavarësi dhe demokraci. Krenar me mikun tim të shtrenjtë, Agim Veliu”, ka shkruar Haziri./Telegrafi/