Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka folur rreth rastit të vdekjes se tre personave nga Gjilani të cilët ndërruan jetë ditë më parë në Shqipëri, pas helmimit nga ushqimi.
Pasi familjarët kanë akuzuar personelin shëndetësor në Shqipëri se viktimat u neglizhuan duke mos iu bërë ekzaminimet e duhura, Haziri ka thënë sot se pret që autoritetet në Shqipëri të zbardhin këtë rast duke treguar se si është trajtuar ky rast dhe a janë neglizhuar pacientët të cilët ndërruan jetë.
“Zbardhja e rastit lidhur me trajtimin e tyre si pacientë, trajtimi shëndetësor ne institucionin primar dhe në institucione të tjera. A është neglizhuar rasti, si është trajtuar, ne besojmë në institucionet e shtetit shqiptar qe të arrijnë të zbardhin rastin”, ka thënë Haziri në një konferencë për media.
Haziri tha se deri tani nuk ka pasur arsye të përfshihen institucionet e Kosovës në ketë rast.
“Do të kërkoj drejtësi deri në ditën e fundit, sikur në rastin e Agonit (i riu që humbi jetën në karantinën e Qendrës së Studentëve)”, ka thënë ai.
Më 8 maj tre anëtarë të familjes Haliti nga Gjilani ndërruan jetë në Shqipëri pasi u helmuan nga ushqimi, të njëjtit po qëndronin ne shtëpinë e tyre atje. Familja e viktimave ka fajësuar mjekët në Shqipëri për neglizhencë. /Telegrafi/