Në komunën e Gjilanit, sipas rezultateve të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, janë konfirmuar edhe 6 persona pozitiv me COVID-19.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se situata është në menaxhim të plotë, duke shtuar së uron të infektuarit të përballojnë lehtë këtë virus dhe pa shqetësime.
“#Dita63. Sapo u njoftuam nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike se nga 67 mostrat, 6 rezultuan pozitive me #Covid19, 4 prej të cilave në qytet dhe 2 në Përlepnicë. Urojmë që të infektuarit ta përballojnë sa më lehtë dhe pa shqetësime. Situata është nën menaxhim të plotë nga organet e emergjencave civile dhe shëndetësore”, shkruan Haziri.
Haziri po ashtu tha se gjatë ditës së sotme në takimin që ka pasur me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Hykmete Bajramin, ajo u nda e kënaqur me rrjedhën e mësimit në distancë në këtë komunë.
“Ndërkohë, gjatë ditës, pata kënaqësinë që ta pres për vizitë pune ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, miken time Hykmete Bajrami, e cila e vlerësoi Gjilanin si modelin më të mirë në Republikës për zhvillimin e mësimit në distancë. Falëmnderit shumë për mbështetjen e madhe! Përndryshe, Gjilani po vazhdon me sukses programet e mësimit online. E uroj për mbajtjen me sukses të Kuizit të Diturisë shkollën e artit pamor “Adem Kastrati””, shkruan Haziri. /Telegrafi/