Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian përcaktuan se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë në nivel të presidentëve.
Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se pas letrës së Presidentit Trump, është krijuar një situatë e re politike në Kosovë.
“Letrat e ardhura nga SHBA dhe BE kanë një emërues të përbashkët sa i përket formatit të bisedimeve. Praktikisht në këto letra thuhet dhe qartësohet deri në fund se formati i përfaqësimit në negociata është i presidentëve, dhe largohet çdo dilemë në lidhje me këto debate që janë zhvilluar në Kosovë”, tha Haziri, përcjell Telegrafi.
Nënkryetari i LDK-së ka thënë se Kosova kohët e fundit është sjellë me dy standarde karshi partnerëve të saj, BE-së dhe SHBA-ve.
“Ndërmjetës të bisedimeve janë BE-ja, ndërsa garantues të këtyre bisedimeve është SHBA-ja”.
I pari i Gjilanit ka thënë se raportet e punës mes Kosovës dhe partnerëve të saj, NATO-s dhe BE-së, janë të tensionuara.
“Duhet të jemi racionalë me disa vendime që BE-ja i ka quajtur populiste. Duhet të jemi racionalë edhe me ruajtjen e raporteve me organizatat partnere dhe NATO-n… Por besoj se do të përballohen këto sfida”, deklaroi Haziri./Telegrafi/