Telegrafi

Haziri: SBASHK dhe Qeveria të hapin dialogun dhe të ndërpritet greva sa më parë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka apeluar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë e Kosovës që të hapin dialogun për të gjetur zgjidhjen në mënyrë që greva të ndërpritet në favor të kërkesave të arsimtarëve.

Sipas një njoftimi, Komuna e Gjilanit njofton se të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, sikurse institucionet parashkollore janë në grevë nga 14 janari.

Po sipas njoftimit, orari i mbajtjes së grevës së përgjithshme për të gjitha institucionet arsimore deri tani ka filluar çdo ditë nga ora 9:00 deri në 12:00.

“Kryetari i Gjilanit, së bashku me drejtorin e DKA-së, Nazim Gagica, gjatë vizitave nëpër shkolla ka takuar mësimdhënësit dhe strukturat sindikale, duke kërkuar që të gjendet zgjidhja sa më e shpejtë e mundshme mes SBASHK, MASHT dhe Qeverisë për shkak se humbja e mësimit është humbje e madhe për nxënësit”, thuhet në njoftim.

Përndryshe, shtohet tutje, në shkollat e komunitetit serb dhe rom në komunën e Gjilanit mësimi është duke u zhvilluar normalisht. /Telegrafi/