Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka njoftuar se 50 mostrat e sotme të qytetarëve të kësaj komune janë në proces në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dhe se pret që rezultatet t’i marrin gjatë ditës së nesërme.
Haziri ka thënë se “Komiteti i Emergjencave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ka marrë të gjitha masat për t’i mbikëqyrë 10 rastet e fundit, si pasojë e burimit të ri të infeksionit në një spital privat”.
“Gjendja e të infektuarve është e mirë, të gjithë janë në vetizoloim duke përfshirë edhe nënën e re, e cila është infektuar gjatë kohës së lindjes në spitalin privat. Pra, burimin e ri e kemi në menaxhim të plotë dhe po punojmë që ta mbyllim edhe këtë fazë 14 ditore të menaxhimit të situatës së re”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook, transmeton Telegrafi.
Haziri ka lutur qytetarët që t’i përmbahen orarit të daljes.
“Dil vetëm nëse e ke patjetër, por me maska e dorëza dhe duke e mbajtur distancën”.
Ndryshe, pas konfirmimit të nëntë rasteve të reja me COVID-19 në komunën e Gjilanit, kjo komunë ka marrë vendim që ta mbyllë përkohësisht Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Ky vendim është marrë pasi mbrëmë nga nëntë rastet që u konfirmuan me coronavirus, katër prej tyre ishin nga stafi mjekësor i Repartit të Pediatrisë, një mjek dhe tre infermierë. /Telegrafi/