Site icon Telegrafi

Haziri: Qeveria nuk i ndaloi zgjedhjet serbe në Kosovë, i kushtëzoi ato

Foto: Ridvan Slivova

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili ka qenë edhe negociator në bisedimet Kosovë-Serbi, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por i ka kushtëzuar.

“Qeveria nuk e ka ndalu mbajtjen e zgjedhjeve më 3 prill në Kosovë, Qeveria e ka kushtëzu mbajtjen e zgjedhjeve dhe ky është dallim i madh”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti në mungesë të një marrëveshjeje ka kërkuar nga vendet e QUINT-it letërshkëmbim.

Sipas Hazirit, kërkimi i këtij letërshkëmbimit është risi që mund t’i thyejë parimet e negociatave të cilat, sipas tij, janë që Kosova nuk bisedon me Serbinë drejtpërdrejt, nuk bisedon pa ndërmjetës të garantuar, pa garancinë nga ShBA-ja dhe nuk bisedon në territor të Kosovës apo Serbisë por në një vend neutral.

“Kushtëzimi është me letërshkëmbim, kryeministri jonë i ka thënë QUINT-it që ne kërkojmë në mungesë të një marrëveshjeje të arritur, letërshkëmbim për çështjen e zgjedhjeve të tre prillit dhe kjo nënkupton një risi në proces. Letërshkëmbimi është risi që mund t’i thyejë parimet”, është shprehur Haziri, për Kallxo.com.

Lexo po ashtu Kurti për zgjedhjet serbe: Duhet të ketë marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë

Mirëpo një gjë e tillë, sipas Hazirit, ka dëmtuar imazhin e politikës së Kosovës karshi vendeve të QUINT-it.

“Tërheqja strategjike e ka dëmtu imazhin e  politikës së Kosovës karshi vendeve të QUINT-it pasi deri tani palët nuk kanë kushtëzu, ose pala jonë nuk e ka kushtëzu procesin e negociatave asnjëherë”, ka thënë ai.

Madje, Haziri ka theksuar se me një veprim të tillë Kosova do të shihet si fajtor në këtë çështje.

Kujtojmë se më 23 mars ambasadorët e shteteve të QUINT-it, ShBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se Kosova duhet të krijojë kushte që qytetarët e Serbisë të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme.

Lexo po ashtu Refuzimi i propozimit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, vendet e QUINT-it me deklaratë të përbashkët

Sipas deklaratës së lëshuar, shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur marrëveshje për të garantuar të drejtën e votës për qytetarët serbë në zgjedhjet e 3 prillit.

Për më tepër, në reagim thuhet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim me vlerat dhe parimet e shteteve të QUINT-it.

Më 3 prill 2022, Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare për të cilat zyrtarët e lartë serbë kërkuan që ato të organizohen edhe brenda territorit të Kosovës.

Kërkesa e tyre ra në vesh të shurdhër pasi me këtë nuk u pajtuan krerët e institucioneve kosovare. Kryeministri, Albin Kurti, tha se për këtë duhet të ketë një marrëveshje mes dy vendeve.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi se shteti i Kosovës ka refuzuar një propozim të vendeve të QUINT-it.

Para zgjedhjeve në Serbi, presidenti Vuçiq ka thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të vendit në takimin të cilin e thirri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Exit mobile version