Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri thotë se ka ardh koha që Kosova të hyjë në fazën e normalizimit të pandemisë me COVID-19. Haziri ka kërkuar edhe që paralelisht me vaksinimin të fillojë edhe lehtësimi i masave anti-CVOVID-19.
Megjithëkëtë, Haziri në konferencën për media ka thënë se Qeveria Kurti 2 nuk e ka guximin që të veprojë në këtë drejtim dhe se kjo qeveri nuk ka një plan mbi menaxhimin e pandemisë COVID-19.
“Kërkoj zbatimin e rekomandimeve të IKSHPK-së, në anën tjetër qeveria e ka për obligim me rishiku. Ka ardh koha me hy në fazën e normalizimit. Faza e normalizimit nuk është akt por proces. Normalizimi nga pandemia është një proces i cili paralelisht me vaksinimin duhet të filloj edhe lehtësimi. Hapja e restoranteve, lejimi i ahengjeve dhe dasmave me kufizime dhe mbikëqyrje, rikthimi i teatrove, rikthimi i shikuesve në stadium me një numër të caktuar, besoj që do të jetë hapi i parë drejt normalizimit. Por, kjo qeveri nuk e ka guximin me vepru në këtë drejtim, sepse edhe më tutje po shihet që nuk ka plan detaj mbi menaxhimin e drejtpërdrejt të pandemisë dhe realizimit të masave dhe kërkesave që kërkohen nga institucionet për ruajtjen e shëndetit publik”, tha Haziri, transmeton KP.
Megjithëse Haziri vlerëson se Qeveria Kurti 1 ishte më efikase, më e zhurmshme dhe më koordinuese në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ai tha se kjo qeveri më shumë po merret me probleme të brendshme dhe me zhurmë politike e me akuza të ndërsjellta.
“Këtë e them nga përvoja pesë javore krahasim me fillim e pandemisë, Qeveria Kurti 1 ka qenë shumë më efikase, më e zhurmshme, më koordinuese në menaxhimin e situatës, sesa këto pesë javët e këtij kabineti të dytë. Më shumë po merren me probleme të brendshme, me debat të brendshëm, me zhurmë politike e me akuza të ndërjesllta duke marrë rolin mbrojtës së ministres, ministrit apo politikës të caktuar ditore, sesa në menaxhimin e proceseve, e në veçanti me pandeminë”, theksoi Haziri.
Haziri thotë se ka bashkëpunim me institucionet e Qeverisë Kurti, por kërkon që të ketë më shumë azhuritet për programet financiare dhe koordinim më të mirë të ministrave.