Site icon Telegrafi

Haziri prezanton kandidatët e LDK-së për Gjilanin, thotë se lista është e pastër si loti (Dokument)

Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh kandidat për kryetar të kësaj komune Lutfi Haziri prezantoi sot 38 kandidatët e kësaj partie, të cilët garojnë për asamblenë komunale në zgjedhjet e 22 tetorit.

Ai me këtë rast tha se lista e LDK-së ofron ndryshim dhe dominohet kryesisht nga persona me profil nga arsimi dhe shëndetësia, të cilët do të diskutojnë me qytetarët për nevojat e tyre për katër vitet e ardhshme.

“Duke pasur parasysh profesionet, rregullshmërinë, fytyrat e pastra e duart e pastra, ne presim që KQZ t’i certifikojë të gjitha këto kandidatura”, është shprehur Haziri.

Në përmbyllje të një programi qeverisës katër vjeçar, i cili ka qenë i ndërtuar në katër shtylla të zhvillimit dhe të ndërtimit të infrastrukturës në Komunën e Gjilanit duke pasur në fokus familjen, Haziri tha se do të vazhdojnë të punojnë me qytetarët dhe për qytetarët në këtë logjikë dhe në këtë kontinuitet.

“Ne edhe më tutje do të punojmë në zhvillimin e infrastrukturës, fillimin e ndërtimit të autostradës Gjilan-Prishtinë, fillimin e ndërtimit të Rrugës së Prishtinës dhe atë Gjilan-Livoç-Kllokot, e cila ka filluar të bëhet realitet dhe investimet në cdo vendbanim e fshat të komunës sonë”, ka thënë Haziri.

Ai është zotuar se në katër vitet e ardhshme Gjilani do të marrë fazë tjetër zhvillimore.

“Në katër vitet e ardhshme Gjilani do të marrë fazë krejt tjetër zhvillimore dhe në 18 muajt e ardhshëm do të ketë infrastrukturë krejt tjetër, pasi kemi punuar katër vite që të bëjmë mobilizime financiare nga Qeveria e Kosovës, BERZH-i, qeveritë e shteteve të mëdha si Austria, Zvicra, Gjermania dhe me qeverinë e SHBA-ve. Këta janë partnerë të Gjilanit dhe investojnë miliona euro këtu”, tha ai.

Ndryshe, bartës i listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për përfaqësim në Kuvend Komunal është Faton Bislimi, profesor universitar, i diplomuar në Universitetin e Harvardit. /Telegrafi/

Exit mobile version