Kryetari i Klubit të Karatesë “Elita”, Bashkimi Byqmeti, e ka njoftuar kreun e komunës së Gjilanit për sukseset e mëdha që nga themelimi i tij në vitin 2010. Ai ka kërkuar përkrahje nga Haziri, në mënyrë që “Elita” ta vazhdojë rrugën e sukseseve edhe në sfidat e ardhshme.
“Jemi klub që jemi themeluar në vitin 2010, ndërsa në vitin 2011 jemi shpallur ekipi më i mirë U-14. Më 2012 jemi shpallur ekipi më i mirë në Gjilan, e sukseset kanë vazhduar edhe në vitin 2013. Jemi klub i madh dhe garat tona janë shumë të ngjeshura, andaj kërkojmë mbështetjen e komunës”, ka thënë kryetari i Klubit të Karatesë “Elita”, Byqmeti, i cili shoqërohej edhe nga kampionët e këtij klubi.
E kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi ka falënderuar përfaqësuesin e klubit për vizitën, ai iu ka garantuar për përkrahjen e aktiviteteve të këtij klubi në të ardhmen.
“Ju përgëzoj për sukseset e klubit ‘Elita’. Jemi duke e bërë evaluimin buxhetor, sepse jemi në dietë të rëndë shkaku i borxheve. Nuk kemi faj as ne e as ju për këtë, por ju garantoj se do ta keni mbështetjen e komunës me të gjitha mundësitë tona për të pasur suksese edhe më të mëdha”, ka theksuar kryetari Haziri. /Epokaere/Telegrafi/