Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka ngushëlluar familjen Huruglica pas vdekjes tragjike të të riut, Debatik Huruglica.
Haziri ka thënë se në emër të qytetarëve shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
“E nderuara familja Huruglica, me trishtim e mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të djalit tuaj, Debatikut, në kohën kur po përballemi edhe me pandeminë COVID-19. Ai ishte djalë i ri dhe me plot energji, me potencial për rini aktive dhe mbi të gjitha i dashur për të gjithë ata që e njohën.Në emër të qytetarëve të Gjilanit shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe do të jemi pranë jush në përballimin e dhembjes. Zoti ua lehtësoftë dhembjen. Në kohën kur po përballemi në luftë me të panjohurën, i lusim të gjithë qytetarët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, veçanërisht këto dy javët e ardhshme ”, thuhet në telegram, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin që ndodhi mesditën e së premtes në Gjilan, ku si pasojë humbi jetën një 24-vjeçar.
Në këtë aksident ishin të përfshira një veturë dhe një motoçikletë, ku drejtuesi i kësaj të fundit humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. /Telegrafi/