Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se nga partia të cilës ai i përket, kanë dalë 13 subjekte politike përgjatë historisë së saj.
Haziri tha se vetëm nga “kuvendi i karrigeve” i vitit 2007, nga LDK-ja kanë dalë tri subjekte të mëdha politike.
“Nga LDK-ja kanë dalë tri subjekte të mëdha politike në atë kohë (2007), që kanë hyrë në Kuvend. Ka dalë komplet LDD-ja dhe AKR-ja. Nga LDK-ja, për 25 vjet kanë dalë 13 subjekte politike”.
Për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Haziri tha se e ka bazën nga transformimi dhe demilitarizimi i UÇK-së.
“PDK-në duhet parë në rrafshin e transformimit dhe demilitarizimit të UÇK-së. Baza e PDK-së është transformim i strukturave të UÇK-së që janë LPK, të organizuara në ilegalitet. Shumica prej tyre një dekadë ia kanë dhënë LDK-së, një PDK-së dhe një dekadë LPK-së, por kohën më të madhe e kanë kaluar nëpër burgje si të dënuar politikë”, deklaroi Haziri në “Rubikon” të Klan Kosovës.
Ndërkaq, për Vetëvendosjen, ai tha se aty gjenden të pakënaqurit e PDK-së.
“Në Vetëvendosje janë të pakënaqurit e PDK-së, që kanë origjinën politike nga grupet ilegale të majta”, u shpreh Haziri.