Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur sot ligjëratë para studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, duke ndarë përvojat e tij prej politikani që nga udhëheqja në nivelin lokal e qendror, deri te ajo e përfaqësimit në institucionet relevante gjithandej botës.
Duke folur për situatën në vend, Haziri tha se Kosova ka një gjendje jostabile politike tash e 10 vjet pas pavarësisë, ekonomina është në një nivel jo të kënaqshëm, përderisa ka theksuar problemin e madh të papunësisë që po ballafaqohet vendi.
Ai tha se duhet të punohet me politikbërje aktive në funsion të ligjit dhe të ndërtimit të qëndrueshëm ekonomik, politik, arsimor dhe fusha te tjera.
Kreu i Gjilanit theksoi para studentëve se “gjenerata juaj është duke u përgatitur për një integrim të Republikës dhe qytetarëve të saj në instancat më të larta ndërkombëtare”, duke shfaqur krenarinë me rininë që ka Kosova. Por, ai pati një porosi për ta.
“Në politikë duhet të hyhet me potencial dhe kreativitet. Në politikë nuk ka qëndrueshmëri nëse hyhet përmes dajallarëve e kushërinjve. Prandaj duhet të hyjmë më qellim të ndryshime në favor të qytetarëve përmes sistemit të konkurrencës”, tha Haziri.
I pari i gjilanasve ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se duhet të jetë konform Kushtetutës dhe pa të drejta ekzekutive. /Telegrafi/