Site icon Telegrafi

Haziri: Mos i rrezikoni fëmijët, lagjen e qytetin tuaj, rrini në shtëpi

Në ditën e 31-të të përballjes me pandeminë, Komuna e Gjilanit po vazhdon ta menaxhojë e kontrollojë situatën, me kapacitetet në moslejimin e shpërndarjes së infeksionit. 

Pas takimit me Qendrën Operative Emergjente dhe Komitetit Emergjent, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se janë menaxhuar 17 raste, duke shtuar se po vazhdojnë ta ulin lakoren duke e kontrolluar dhe moslejuar shpërndarjen e COVID-19.

“Ky angazhim i madh i mjekëve, profesionistëve dhe hallkave të emergjencave civile në Gjilan, nuk na bën imun në shpërndarjen e infeksionit. Imun na bën vetëm nëse qëndroni në shtëpi dhe nëse vetëpërmbaheni nga dalja në vendet publike, qofshin ato vende malore e fushore. I vetmi vend uikendi është shtëpia, dhoma, banesa”, tha ai.

Haziri ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim, po vazhdojnë ta bëjnë planin 06, që i përfshinë komunat e Anamoravës, në bashkëpunimin me policinë lokale dhe regjionale, në mënyrë që mos lejohen hyrje-dalje të askujtë prej zonave të karantinës, siç është Prishtina, Vitia e Ferizaj.

“Qytetarët e Gjilanit nuk do t’i lejojnë këtë hyjnë tash e tutje në këto zona të karantinuara. Bashkëqytetarët tanë mund të kthehen prej këtyre qyteteve deri sot në ora 17:00. Përndryshe, nuk lejohen të lëvizin nga zonat e karantinës”, ka thënë Haziri.

Ai ka nënvizuar se është fatkeqësi të bartet infeksioni, i cili e rrezikon fëmijët, lagjen e qytetin tuaj.

“Jemi koordinuar me të gjithë kryetarët e komunave për masat emergjente. Të martën do t’i njoftojmë qytetarët për pakon e re të masave të lëvizjes së lirë të qytetarëve”, ka thënë Haziri, në konferencën për gazetarë.

Në fund, Haziri ka uruar të gjithë besimtarët e krishtere me rastin e Festës së Pashkëve. /Telegrafi/

Exit mobile version