Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri është shprehur i tronditur pas tragjedisë që ndodhi sot në qytetin e Gjilanit, ku një zyrtare policore dyshohet se vrau katër anëtarët e familjes së saj, prindërit dhe dy vëllezërit, e në fund edhe veten.
Haziri ka mbledhur organet emergjente të sigurisë dhe drejtësisë, duke marrë përsipër menaxhimin e situatës rëndë.
“Komuna e Gjilanit e bashkëndien dhembjen e madhe me familjen e gjerë dhe e lusim Zotin që raste të tilla të mos përsëriten kurrë”, ka thënë Haziri.
Mesditën e së martës, një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Gjilanit, ku pesë anëtarë të së njëjtës familje gjetën vdekjen nga arma e zjarrit të cilën e shkrepi vajza e kësaj familjeje, që në fund bëri vetëvrasje.
Rreth orës 13:00, një zyrtare policore dyshohet se ka vrarë dy prindërit e dy vëllezërit, duke bërë në fund vetëvrasje.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka konfirmuar se V.B, zyrtare policore, kishte kryer aktin tragjik, me armë zjarri në lagjen “Bujanina” të Gjilanit, duke lënë të vdekur katër familjarët e saj dhe veten.
E dyshuara V.B, ishte suspenduar nga detyra si police që kishte mbajtur më herët për shkak të disa problemeve psiqike. /Telegrafi/