Site icon Telegrafi

Haziri thotë se LDK dëshiron listë të përbashkët, jo koalicione parazgjedhore

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën është diskutuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Pas mbledhjes, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se LDK në këto zgjedhje, do të përfaqësohet me emra kredibilë dhe që përfaqësojnë ideologjinë e kësaj partie, transmeton Telegrafi.

“Ne jemi të gatshëm që edhe nesër edhe në ditët në vijim që ti përmbushim obligimet ligjore dhe kushtetuese, në mënyrë që në afate ligjore emrat e LDK-së me u zbardh. Kanë me qenë emra kredibil, burra e gra që përfaqësojnë ideologjinë dhe politikën e LDK-së duke përfaqësuar rininë tonë por edhe komunitete e tjera përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë “, ka deklaruar ai.

Sa i përket negociatave për koalicione parazgjedhore, Haziri theksoi se ende nuk ka përfunduar asgjë.

“Ende nuk ka përfunduar asgjë.  Janë në bisedime. Kryetari i LDK-së dhe kandidati kryeministër kanë autorizimet për të realizuar takime qoftë me parti politike ashtu edhe me eksponent të tjerë. Në vet faktin që janë në bisedime e sipër nuk dua t’i diskutojë më shumë por deri javën e ardhshme duhet të zyrtarizohen. Parimisht koalicione parazgjedhore nuk do të ketë, në kuptim klasik. Do të ketë koalicion e me parti ose individë që përfaqësohen me një listë të përbashkët politike”, ka thënë Haziri.

Nënkryetari i LDK-së, u shpreh se nuk është qëllim i LDK-së që të ketë një koalicion klasik dhe se kush dëshiron bashkëpunimin me këtë parti, përfshirë edhe AKR-në, duhet të shkrihet brenda një liste të përbashkët.

“Besoj që nuk lidhet asgjë, parimisht koalicione parazgjedhore nuk do të ketë në kuptimin klasik ajo që jemi mësuar të shohim deri tash. Do të ketë koalicione me parti ose individë të përfaqësuar në një front politik të përbashkët, ose një listë të përbashkët politike sepse zgjedhjet edhe ashtu janë të jashtëzakonshme dhe kanë natyrën e tillë të punës”, u shpreh Haziri.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt, kurse partitë politike kanë kohë dhjetë ditë që të bëjnë fushatë elektorale./Telegrafi/

Exit mobile version