Site icon Telegrafi

​Haziri: Kurti bëri shëtitje politike në Gjilan

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Lutfi Haziri, ka reaguar pas vizitës së fundit të Albin Kurtit në këtë komunë, duke thënë se kreu i Qeverisë së vendit ka lënë interesin e qytetarëve në rend të dytë, duke e nxjerr interesin e partisë së tij në rend të parë.

Haziri në një konferencë sot për media tha se kryeministri Kurti nuk ka sqaruar lidhur me ecurinë e hetimeve për Agon Musliun, i cili vdiq më 2020 në qendrën e studentëve në Prishtinë, e cila asokohe ishte shndërruar në karantinë për personat e ardhur nga jashtë për shkak të pandemisë COVID.

Ai tha se Kurti duhet t’i tregojë familjes Musliu se ku kanë mbetur hetimet për këtë rast.

“Duke injoruar familjen e Agonit dhe të të rinjve të Gjilanit, ne dje e pamë shëtitjen politike, në kohën kur kanë stagnuar hiç më pak se 24 projekte sistemore”, tha Haziri.

Për më tepër, Haziri ka akuzuar Kurtin se në kundërshtim me ligjin dhe planin detal urban, ka përuruar parkun “Banja”, i cili sipas tij, u degradua si projekt, duke i përjashtuar personat me aftësi të kufizuar.

Haziri tha po ashtu se në kundërshtim me ligjin, vazhdon të proklamohet edhe për stadiumin e qytetit, i cili në fazën e parë është përfunduar. Sipas tij, ndalja e punimeve duke ia atribuuar projektin një qeverisje dhe duke dashur të sillet një projekt i ri, e ka dyfishuar koston nga 7.1 milionë në 15 milionë.

“Kryeministri erdhi në Gjilan me një pako të re financiare, duke e lidhur qarkoren e re pa i kompensuar qytetarët për qarkoren e vjetër, duke mos treguar se çka do të ndodhë për pjesën e dytë të autostradës prej Bresalcit në Konçul. Stanishorka, nga 1.2 milion euro, është nënshkruar në 2.5 milionë euro. Është rritur qind për qind kosto, e nuk janë paraparë ndërtimi i kolektorëve që çojnë në impiant.

Projektin e impiantit, nga 18 muaj sa do të duhej të përfundojë, këtë projekt e kanë shtyrë për hiç më pak se në vitin 2028”, ka thënë Haziri.

Ai ka folur edhe mbi blerjen e disa kamionëve nga Komuna e Gjilanit në Gjermani prej 38 mijë eurove, të cilën e ka quajtur “skandali më i madh” që ka ndodhur në Komunë, pasi nuk ka pasur ofertë të hapur publike.

“Pagesa prej 38 mijë euro si transaksion ndërkombëtar është skandal që duhet të zbardhet”, ka thënë Haziri.  /Telegrafi/

Exit mobile version