Site icon Telegrafi

Haziri komenton deklaratën e Haradinajt: Ky është ndërtim i ‘murit kinez’ për mos bashkimin e shqiptarëve në Lindje

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kritikuar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradnaj, lidhur me deklaratën e këtij të fundit, se ‘sa isha kryeministër ndërtova murin kinez për Serbinë’.

Haziri ka thënë se kjo mund të cilësohet si ‘ndërtim i ‘murit kinez’ për mos bashkimin e shqiptarëve në Lindje’.

“Ndoshta, më mirë të themi, ndërtimi i ‘murit kinez’ për mos bashkimin e shqiptarëve në Lindje, por në të njëjtën kohë, dorëzimi i Çakorrit me një ‘letër përkushtimi’ dhe ndarjen de facto që po vazhdon deri te varri i Isa Boletinit dhe djemve të tij”, ka deklaruar Haziri, për Mediafokus.

Haziri tash e tetë vjet e mbron kauzën e tij e shqiptarët e Kosovës Lindore nuk kanë qendër tjetër politike pos Prishtinës.

“Hapi fundit nuk ka ndodhur ende. Nuk do jemi të plotë, nuk do të jemi të përmbushur dhe nuk do të jemi të lirë, nëse shqiptarët e Kosovës Lindore do të vazhdojnë të jetojnë nën atë regjim. Ka ardh koha që me paqe, edhe ata që bëhen pjesë e jona, e tokës dhe e Republikës së tyre. Ne do të vazhdojmë që këtë amanet të kryengritësve të mos e harrojmë sepse edhe ajo tokë ka dhënë dëshmorë”, ka thënë nënkryetari i LDK-së.

Ndryshe, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes profilit të tij në Facebook, ka thënë se gjatë mandatit të tij ka ndërtuar një strategji për pengimin e ndarjes së Kosovës.

“Ndërtuam murin kinez për Serbinë, respektivisht vendosëm taksën. Evituam pra, rrezikun e ndarjes së vendit dhe Kosovën e forcuam si partner serioz në rrafshin ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj.

Exit mobile version