Komiteti për menaxhimin e emergjencave në Gjilan kundër përhapjes së COVID-19, e ka vlerësuar gjendjen e qetë dhe stabile, pasi u bë një javë që nuk ka pasur asnjë rast pozitiv.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se të gjitha rastet janë në monitorim të institucioneve, ndërkaq ka shtuar se përkundër lehtësimit të masave në sektorin e ekonomisë dhe lirisë së lëvizjes, të mos shkelen rregullat e përcaktuara.
“Kjo nënkupton që nuk mund të dilni në vende publike më shumë se dy herë që janë të përcaktuara nga 90 minuta. Patjetër duhet të përdoren dorëzat e maskat. Në vendet publike nuk ka leje qëndrim. Edhe më tutje nuk mund të shfrytëzohen parqet dhe vendet e gjelbra për rekreacion, sport e aktivitete tjera”, ka thënë Haziri, në konferencën për media.