Telegrafi

​Haziri: Kërkojmë drejtësi për Agon Musliun

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kërkuar edhe njëherë drejtësi për Agon Musliun, i cili humbi jetën tragjikisht në qendrën e studentëve, e cila ishte shndërruar vitin e kaluar në karantinë për të prekurit me COVID-19.

Haziri përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova ka humbur tragjikisht një djalosh, i cili potencialisht do të ishte e ardhmja e Kosovës.

“Sot një vit Kosova e humbi tragjikisht një djalosh, që potencialisht do të ishte e ardhmja e Kosovës. Agon Musliu ishte student i shkëlqyer të masterit, i cili sapo kishte nisur hapat e tij të profilizimit, në Gjermani”.

“Kërkoj sërish nga organet e drejtësisë që të zbardhet deri në fund kjo njollë e zezë e Kosovës në fillim të pandemisë. Kërkojmë drejtësi për Agonin. Kosovës, Gjilanit e në veçanti familjes së tij, i duhet drejtësia”, shkruan Haziri, njofton Telegrafi.