Telegrafi

Haziri: Jemi në situatë emergjente të ujit, Qeveria duhet të na e vendos fondin emergjent

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se Gjilani është një javën e tretë të situatës emergjentë për mungesë të ujit.

Haziri në emisionin “Përballje ditore” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, ka theksuar se e kanë ndaluar çdo lloj keq-shfrytëzimi të ujit.

“Jemi në javën e tretë të situatës emergjente. Kriza e thatësisë është e shkallës së parë. Emergjencat në këtë vapë të madhe e kanë shtuar nevojën për përdorim të ujit. E kemi ndaluar çdo lloj keq-shfrytëzimi të ujit madje edhe ujin për nevoja industriale. Dhe ajo që ne e quajmë stabilizim i nevojave në furnizim është duke u menaxhuar”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Shqyrtohen mundësitë e tejkalimit të mungesës së ujit në Gjilan

Sipas tij thatësia ka ardhur si pasojë e mungesës së reshjeve .

“Qendra e Përlepnicës furnizon 60 për qind të popullatës me ujë, por kemi edhe burime tjera si banja. Për këtë 92 për qind e popullatës e kanë pasur të zgjidhur problemin me ujë 24 orë në 7 ditë. Por mungesa e ujit ka ardhur nga thatësia si pasojë e mungesës së reshjeve pranverore, dhe të reshurat dimrore, këto janë arsyet e mëdha. Ne po bëjmë hulumtime të reja, duke kërkuar burime alternative, mirëpo shpresojmë që Qeveria do të na vendos fondin emergjent pasi që vlerësimi nga organet kompetente është bërë për shkallë emergjente”, ka shtuar ai.

Lexo po ashtu Haradinaj: Po punojmë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për ujin e pijshëm në Gjilan

Ndër të tjera ai ka thënë se gjatë verës në Gjilani dyfishohet popullësia dhe rritet konsumi.

“Vijnë mërgimtarët dhe kemi numër më të madh të banorëve. Por ne kemi organizuar kontigjent që menaxhon situatën. Nuk ka nevojë për panikë, as për rezerva të ujit sepse ato harxhohen. Është çdo gjë nën kontroll”, është shprehur Haziri./Telegrafi/