Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se strukturat që dikur ishin LDK, të ndihmuar nga njerëzit që besojnë Demaçin, po dëshirojnë ta rrënojnë shtëpinë politike të Rugovës.
Haziri u shpreh se shpreson që në këto zgjedhje fushata të mos eskalojë e të bëhet denigruese e poshtëruese mes subjekteve politike.
“Fatkeqësisht, në këtë rresht kanë hyrë edhe struktura ish LDK-iste, duke e ndihmuar që përmes njerëzve që besojnë Demaçin apo politika e njerëzve që Demaçi ka lënë trashëgimi, dëshirojnë të ndodhë rrënimi i LDK’së, por kjo nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë. LDK është e madhe”, shkruan Haziri në Facebook.
Ai tha se është e kuptueshme të nxehet ambienti politik, por që fushata nuk bën të eskalojë.
“Meqë jemi në prag të fillimit të fushatës zyrtare elektorale, është e kuptueshme që të nxehet pak ambienti politik, por shpresoj që nuk do të eskalojë në fushatë denigruese e poshtëruese mes nesh”, shkruan tutje Haziri.
Sipas tij, si LDK, ata janë mësuar me goditje të ulëta “sepse është Rugovizmi ai i cili u pengon kundërshtarëve politikë, është familja politike e Ibrahim Rugovës e cila është bërë therë në sy për të gjitha subjektet politike. Ata e kanë synim dobësimin e LDK’së”. /Telegrafi/