Telegrafi

Haziri: Hapja e pikës kufitare Stanqiq- Bellanoc i jep dimension zhvillimor Gjilanit dhe Grykës së Karadakut

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri gjatë vizitës së punimeve në ndërtimin e pikës kufitare Stanqiq-Bellanoc, e cila po bëhet me financim të Komisionit Evropian tha se hapja e kësaj pike kufitare i jep dimension zhvillimor Gjilanit dhe Grykës së Karadakut.

Haziri theksoi se nga mbikëqyrësi i punimeve u njoftua se projekti është në revidim për shkak të jostabilitetit të tokës, por pritet teknikisht të zgjidhet nga Komisioni Evropian.

“Me këtë projekt, Gryka e Karadakut dhe Gjilani merr dimension krejt tjetër, zhvillimor, infrastrukturor, e në veçanti zhvillohet bujqësia dhe turizmit malor. Janë projekte që ne do t’i atraktojmë edhe me bashkatdhetarët tanë dhe investitorët e huaj, në mënyrë që kjo zonë me qënë më e zhvilluar”.

“Hapja e pikës kufitare Sqanqiq-Bellanoc është projekti më i madh në Grykën e Karadakut. Kjo pikë, Kosovës ia mundëson që përmes korridorit të dytë ndërkombëtar për t’u lidhur me korridorin e dhjetë, autostradën Shkup-Selanik. Për ne është me interes lidhja e shqiptarëve të Kosovës me ata të Kumanovës”, ka thënë Haziri. /Telegrafi/