Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka hedhur kritika ndaj kryetarit aktual të kësaj komune, Alban Hyseni.
Me ironi Haziri ka thënë se është fatkeqësi e madhe që Gjilani tash e dy vjet ka mbetur pa kryetar.
Ai tutje ka thënë se “udhëheqja e komunës ka paaftësi financiare, mosdije në zbatim e mungesë vizioni, duke e rrezikuar progresin që ne e kemi shkaktuar në të kaluarën e afërt, po e rrezikon të ardhmen e po e mbytë shpresën për gjeneratat e reja, dhe ia ka garantuar një regres Gjilanit”.
“Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes së VV-së, Gjilani ka rrëshqitur në regres që nënkupton degradim të projekteve të filluara e mosrealizim të projekteve në shtratin e lumit Mirusha, në shtratin e lumit Stanishorka, në rrugët regjionale nuk kemi zhvillim të punimeve, përkatësisht në rrugën Gjilan-Prishtinë, kemi ndalje të punimeve në rrugën Gjilan-bunari i Përlepnicës, kemi anulim të rrugës nga “Planeti” në drejtim të Banjës së Dobëranit”.
“Të mos flasim për moszhvillimin e projektit të ndriçimit në fshatra. Ndërkaq, po e ritheksojmë, asnjë arsye nuk ka që të shtyhet impianti për trajtimin e ujërave të zeza deri në vitin 2027”, ka shkruar ish-kryetari i Gjilanit në Facebook.
Haziri tutje është shprehur se beson që Kuvendi Komunal mund të jetë një lloj ure në mes opozitës dhe qeverisë komunale, “në mënyrë që në projeksionet zhvillimore të komunës të mos vazhdojë degradimi”. /Telegrafi/