Telegrafi

Haziri: Gjilani është përgatitur maksimalisht për fillimin e vitit të ri shkollor

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit të bordit të drejtorëve ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor, konform edhe vendimit të Ministrisë së Arsimit.

Haziri ka kërkuar bashkëpunim maksimal të prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve që gjithçka të jetë në rregull.

“Komuna e Gjilanit ka qenë e përgatitur për të filluar mësimin edhe më 1 shtator, mirëpo kemi zbatuar vendimin e ministrisë dhe kërkesën e sindikatës së arsimit për fillimin e mësimit më 14 shtator. I uroj nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, për një fillim të mbarë të vitit shkollor dhe i lus që t’u përmbahen rekomandimeve të institucioneve komunale dhe rekomandimeve të shtetit për respektim të masave mbrojtëse kundër COVID-19. Është e domosdoshme që të respektohet distanca, të barten maskat dhe të jetë kontakti i vazhdueshëm mes prindërve dhe mësimdhënësve për gjendjen e fëmijëve në aspektin shëndetësor”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai më tej njoftoi se është bërë edhe testimi i të gjithë mësimdhënësve të cilët kanë sëmundje kronike. /Telegrafi/